Protesta në Bullgari(Ansa)

Protesta në Bullgari(Ansa)

Në shumë qytete të Bullgarisë u zhvilluan protestat kundër pasaportës digjitale Covid. Mijëra persona mbushën rrugët, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga sektori i restoranteve dhe turizmit, të cilët u deklaruan kundër vendosjes së kërkesës për lejen e gjelbër të miratuar një javë më parë nga qeveria për klientët e restoranteve, bareve, lokaleve argëtuese e të tjera, raporton “Ansa”.

Organizatorët e protestës thonë se masat e qeverisë janë të papërshtatshme dhe sistemi i zbatimit të “green pass” është diskriminues. Sipas tyre, operatorët në këtë sektor nuk janë kundër lejes së gjelbër, por janë kundër mënyrës së nxituar me të cilën është futur, në një realitet prej vetëm 25% të të vaksinuarve nga popullata e rritur në Bullgari. Për këtë, sipas shoqatave të hotelierisë, në pak ditë ka pasur një rënie prej më shumë se 80% të xhiros.

Situata epidemiologjike në Bullgari paraqitet e rëndë për shkak të përhapjes në rritje të Covid-19. Autoritetet e Sofjes nuk e përjashtojnë futjen e bllokimit në vend, fillimisht i pjesshëm vetëm për personat e pavaksinuar. Kjo masë duhet të përdoret nëse incidenca në vend arrin shifrën mbi një mijë të infektuar për 100 mijë banorë dhe nëse numri i shtretërve për kujdesin jointenziv duhet të kalojë numrin e nëntë mijë njësive, shifra që mund të ndodhin në ditë në vijim. (Irma)