tiranaal

tiranaal

40 vjet më parë u përurua Muzeu Historik Kombëtar, për ngritjen e të cilit u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit. Për këtë muze u punua për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij.

Me rastin e 40-vjetorit, Muzeu Historik Kombëtar organizoi Konferencën Ndërkombëtare Muzeologjike. Drejtori Dorian Koçi deklaroi se në prag të 100-vjetorit të themelimit të Muzeut ka ardhur momenti për të promovuar rrjetin kombëtar të muzeve, që do të shërbejë si rregullator i sistemit të muzeologjisë shqiptare. Sipas tij, me krijimin e rrjetit muzeal qëllimi është që konferencat të zhvillohen në vendet e rajonit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi muzeun një institucion me rëndësi të veçantë në rrëfimin e rrugëtimit të shqiptarëve në rrjedhën e historisë; një nga destinacionet më të rëndësishme të vizitorëve shqiptarë e të huaj, që duhet të jetë lider në fushën e muzeologjisë shqiptare.

Muzeu Historik Kombëtar është më i madhi në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit. Në mjediset e tij gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para erës sonë dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. (Irma)