Më 26 tetor u zhvillua Simpoziumi i 7-të i Akademikëve të platformës Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore (EQL), i quajtur “Bashkëpunimi Kinë-EQL - duke lundruar përmes Kohërave të Trazuara të Ndryshimit dhe Përshtatjes”.

Ky simpozium është pjesë e listës së aktiviteteve të Axhendës “16+1” të Pekinit për vitin 2021, e miratuar gjatë Samitit të fundit të Liderëve Kinë-EQL. Eventi u organizua nga Akademia e Shkencave Sociale të Kinës (CASS), Sekretariati për Bashkëpunimin midis Kinës dhe EQL-së, Instituti i Studimeve Evropiane (IES/CASS), Fondacioni i Kinës për Studime Ndërkombëtare, Rrjeti i “Think-Tanks” Kinë-EQL dhe Instituti Diplomatik për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë. Simpoziumi u prezantua në një format hibrid duke sinkroniziuar pjesët rezidenciale (Pekin-Sofje) dhe pjesën online që u zhvillua nëpërmjet platformës zoom.

Në këtë simpozium morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, përfaqësues qeveritarë nga EQL, ambasadorë, diplomatë, akademikë të shquar nga Kina dhe EQL, kërkues shkëncorë, OJF të ndryshme, etj.

Pjesëmarrësit shkëmbyen idetë dhe analizat e tyre mbi të shkuarën, të tashmen dhe potencialet e së ardhmes së bashkëpunimit Kinë-EQL ose “16+1”. Në këtë takim u theksua se suksesi i bashkëpunimit Kinë-EQL nuk mund të arrihet pa mirëkuptimin dhe mbështetjen e qeverive dhe të gjithë sektorëve të shoqërisë, dhe nuk mund të bëhet pa ide të mira dhe udhëzime të planifikimit shkencor. Në këtë proces, akademikët dhe hulumtuesit kanë ofruar mbështetje të fortë intelektuale në ndërtimin e konsensusit dhe planifikimin e projekteve, dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e besimit të ndërsjellë politik dhe zhvillimin e marrëdhënieve midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Nga Shqipëria mori pjesë Instituti i Studimeve të Globalizimit, ku drejtorja ekzekutive e tij, Marsela Musabelliu mbajti një referat të titulluar: “Shqipëria në platformën Kinë-EQL: sfidat, ambiciet dhe potenciali i bashkëpunimit.”

Gjatë fjalës së saj Musabelliu shprehu se për të parashikuar më mirë se si mund të shfrytëzojmë potencialin e bashkëpunimit në platformën Kinë-EQL për rimëkëmbjen pas pandemisë, këto vite të vështira mund të merren si një kohë reflektuese për të analizuar se ku qëndrojmë dhe ku duam të jemi në të ardhmen.

Nëntë vjet pas krijimit, pranohet gjerësisht se mekanizmi Kinë-EQL po promovon rrugën e gjetjes së ngjashmërive midis anëtarëve të saj, dhe rrjedhimisht i përdor ato ngjashmëri për zbatimin më të mirë të projekteve, krijimin e një shkalle më të lartë të ndërvarësisë ekonomike, ndërsa përpiqet të gjejë baza të përbashkëta për të kuptuar më mirë realitetet e njëri-tjetrit.

Musabelliu shprehu se nga perspektiva e vendeve relativisht të vegjël dhe vendeve në zhvillim, ajo që ofron platforma Kinë-EQL duhet të jetë joshëse për ekonomistët dhe politikëbërësit; nëse kombinohen dy të mësipërmet (vend i vogël dhe në zhvillim) shanset për të përfituar vetëm shumëfishohen.

Sipas saj, kjo platformë ndër vite përmban një sërë pikash të forta të cilat mundësojnë thellimin dhe intesifikimin e marrëdhënieve shumëpalëshe dhe dypalëshe, njohjen më të mirë të kulturave dhe realiteteve të vendeve anëtare dhe padyshim krijon një vatër të mirë-strukturuar për komunikim të drejtpërdrejtë të ideve dhe pritshmërive të secilit vend anëtar.

Marsela Musabelliu,drejtorja ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit

Marsela Musabelliu,drejtorja ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit

Më tej Musabelliu tha se ndihmat mjekësore gjatë pandemisë, të lëvruara në disa dërgesa për popullin shqiptar, në kohë shumë të vështira kanë marrë falenderime dhe mirënjohje të thellë.

Ambasada e RPK-së në Shqipëri, e cila ka koordinuar tryeza të përbashkëta me bizneset kineze dhe shqiptare, ka mbështetur Kryqin e Kuq shqiptar, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ka akorduar shumë bursa për studentë, dhe shkrimet e ambasadorit kinez në Shqipëri të publikuara në mediat më të lexuara, etj., po informojnë publikun mbi zhvillimet dhe arritjet e bashkëpunimit Kinë-EQL.

Vizita e Këshilltarit të Shtetit dhe Ministrit të Jashtëm, Wang Yi në Ballkan në 27-29 tetor, në axhendën ka 3 vende të platformës Kinë-EQL (Shqipëria, Greqia dhe Serbia) plus Italia, do të rrisë padyshim vizibilitetin e kësaj platforme dhe do të shërbejë si një katalizator për thellimin e mëtejshëm të dialogut politik midis Kinës dhe Shqipërisë.

“Ne jemi entuziastë dhe optimistë për këtë vizitë të nivelit të lartë nga Kina në Shqipëri, pasi është një ogur shumë i mirë për të thelluar më tëj mundësitë ekzistuese, në mënyrë që ajo që është ndërtuar tashmë, të bëhet themeli për një të ardhme të fortë të bashkëpunimit me përfitim reciprok të dy popujve” – përfundoi Marsela Musabelliu.