Foto:ATSH

Foto:ATSH

75 milionë euro ka investuar BE-ja për rehabilitimin e më shumë se 60 institucioneve arsimore, bëri të ditur kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, gjatë aktivitetit në Universitetin Politeknik në kryeqytetin shqiptar për prezantimin e mbështetjes së BE-së për arsimin në vend. Soreca tha se mënyra më e mirë për të investuar paratë e tatimpaguesve evropianë është të investohet te rinia.

“Politikat që kanë të bëjnë me rininë dhe fuqizimin e rinisë në fakt kanë qenë prioritet për mua qëkur kam mbërritur në Shqipëri përpara 3 vitesh dhe angazhimi me të rinjtë përgjatë këtyre viteve ka qenë në vijimësi”, -tha Soreca.

“BE-ja dhe shtetet anëtare të BE-së e kanë kuptuar rëndësinë e të investuarit te të rinjtë dhe tek arsimimi në Shqipëri, sepse kjo është porta më e mirë për t’ju afruar me BE-në, për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Shqipërisë. BE-ja është në fakt donatori më i madh në Shqipëri. Mesatarisht Unioni i jep Shqipërisë çdo vit 100 milionë euro, duke dhënë kështu një kontribut për shndërrimin e të gjithë sektorëve të vendit, jo vetëm të arsimit, bujqësisë, infrastrukturës, antikorrupsionit, transportit, sigurisë ushqimore, mbrojtjes së mjedisit etj.”, -u shpreh Soreca.

Duke iu drejtuar studentëve, në kushtet e pandemisë, ambasadori Soreca u bëri thirrje që të vaksinohen.

“Është shumë e rëndësishme që studentët janë rikthyer në auditorët e universiteteve dhe duhet vijuar me vaksinimin. Është kritike, është shumë e rëndësishme. Është kyçe që mos të ndalohet vaksinimi sepse mendojmë që në këtë formë gjërat do të shkojnë ashtu siç duhet. Dhe ju duhet të merrni pjesë në këtë plan që gjërat të vazhdojnë më së miri, që ju të vazhdoni të jeni në këto auditore dhe që të merrni arsim cilësor”, -tha Soreca. (Elona)