Foto:atsh

Foto:atsh

Institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare kanë përditësuar parashikimet e tyre me rritje sa i takon ecurisë së ekonomisë së Shqipërisë, shkruan “ATSH”.

Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore së fundi është Instituti i Vjenës (WIIW) ai që raporton për rritje me ritme më të shpejta të ekonomisë shqiptare sesa parashikimet e fillimvitit.

“Rimëkëmbja në formë V-je që ne shohim sugjeron se ekonomia është kthyer në rrugën e duhur dhe do të mbetet e shëndoshë. Rritja e PBB-së do të përshpejtohet në 6.4% në vitin 2021 dhe do të qëndrojë mbi 4.5% në periudhën afatmesme”, -citohet në raportin e Institutit të Vjenës.

Më herët, në muajin prill ky institucion parashikonte një rritje ekonomike të Shqipërisë me rreth 4.5%.

“Rritja do të udhëhiqet nga investimet dhe nga kërkesa optimiste e jashtme dhe e brendshme, por rreziqet negative që rrjedhin nga tregjet ndërkombëtare dhe pandemia kërkojnë vigjilencë”, -theksohet në raport. (Fatosi)