Aplikimi i dozës së tretë të vaksinës anti-Covid në popullatën mbi 60 vjeç dhe personat me disa sëmundje kronike do të nisë brenda tetorit. Mjekja Anida Bushati, anëtare e komitetit teknik të ekspertëve për imunizimin, saktëson për “Klan Tv” se doza e tretë duhet të kryhet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë dhe do t’u administrohet të gjithë personat mbi 60 vjeç dhe grupeve të riskut, si dhe atyre që për shkak të punës kanë mundësi shumë të lartë të infektimit.

Personat mbi 60 vjeç mund të paraqiten me pasaportën e vaksinimit dhe kartën e identitetit për të marrë dozën përforcuese, ndërsa ata që janë nën këtë moshë duhet të kalojnë më parë te mjeku.

“Në këtë moment do të duhet rekomandim nga mjeku, në qoftë se hyn në listën e sëmundjeve që parashikohen”, -tha mjekja, e cila shtoi se sa u përket personave që e kanë kaluar Covid-19 dhe janë vaksinuar mirë është të bëhet titri dhe nëse kanë mbrojtje imunitare mund ta shtyjnë në një kohë të dytë.

Ekspertet kanë menduar që si dozë e tretë të përdoret vaksina “Pfizer” ose “AstraZeneca”, edhe në rastet kur personi ka injektuar dy doza të vaksinës “Coronavac”. (Elona)