Kryeministri Edi Rama vlerësoi të mërkurën se raporti i progresit të Komisionit Evropian konfirmon edhe njëherë se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur edhe formalisht atë që është vendosur më parë në Këshillin e Evropës dhe për të ndërmarrë bashkë me BE-në diskutimin e anëtarësimit. Në një konferencë për shtyp më ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, kryeministri Rama tha se raporti vlerëson se Shqipëria ka vazhduar të përparojë në reformat kyçe, që janë në thelb reforma të shtetndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike, nga reforma në drejtësi, ku procesi i Vetingut nënvizohet si histori suksesi, te reforma në administratën publike, proces që përparon.

Rama tha se progres-raporti vlerëson se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është një luftë që përparon.

“Raporti e vulos objektivisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm në pikëpamje të integritetit dhe të përputhjes me standardet dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR. Reforma në administratën publike përsëri referohet si një proces që përparon, ashtu edhe për luftën kundër krimit të organizuar. Të drejtat e njeriut rikonfirmohen si vlera më e madhe. Barazia gjinore vlerësohet”, -tha kreu i qeverisë.

Kryeministri Rama theksoi sërish se BE-ja nuk po arrin rezultatet dhe jo Shqipëria, për plotësimin e kushteve të vëna. (Elona)