Rezultatet paraprake të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë bëjnë të ditur se pas raundit të parë zgjedhjeve lokale të së dielës, fituesit janë shpallur në 17 komuna, ndërsa në 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve.

“Radio Europa e Lirë” raporton se partia që drejtohet nga Albin Kurti, dhe që udhëheq qeverinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti ta ruajë frymën e fitores nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit edhe në nivel lokal. Ky subjekt nuk fitoi asnjë komunë në raundin e parë, edhe pse në disa doli forcë e parë.

Bazuar në rezultatet paraprake të KQZ-së, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar pesë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nga dy komuna, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore të qartë në asnjë komunë në raund të parë.

Nga 1 milion e 885 mijë e 448 persona, në këto zgjedhje kanë votuar 799 mijë 960 qytetarë apo të drejtën e tyre e kanë shfrytëzuar 42.50 për qind e qytetarëve. (Fatosi)