Qendra e Shqipërisë është tronditur mbrëmjen e së dielës nga lëkundje të forta tërmeti.

Referuar të dhënave zyrtare që vijnë nga IGJEUM, një lëkundje me magnitudë 4.5, u regjistrua 10 km në veriperëndim të Rrëshenit, në thellësi 19 km, 82 kilometra në verilindje të Tiranës. Më së shumti ai është ndjerë në Lezhë, Tiranë, Pukë dhe Shkodër.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi se nga lëkundjet e tërmetit që prekën Shqipërinë nuk janë regjistruar dëme materiale.

“Nga raportimet paraprake në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile nuk janë regjistruar dëme materiale. Strukturat shtetërore janë në gatishmëri në ndjekje të situatës”, -thekson ministri.

Ndërkohë, në terren popullata duket se është frikësuar. Në qytetin e Lezhës, banorët kanë ndenjur për disa orë jashtë banesave nga frika. Kjo pasi dy vjet më parë Shqipëria u trondit nga disa tërmete të njëpasnjëshme. Më i forti ishte ai i 26 nëntorit 2019 që shkaktoi 51 viktima dhe dëme katastrofike materiale. Një operacion rindërtimi në vlera disa qindra milionë eurosh po zbatohet prej disa muajsh nga autoritetet shqiptare dhe kontributorët e huaj. (Fatosi)