Në Shqipëri të hënën nisi viti i ri akademik 2021-2022 për rreth 124 mijë studentë, mes kushteve dhe masave të forta anti-Covid.

Studentët janë të detyruar të vaksinohen, ose në të kundërt duhet të paraqesin testin negativ, certifikatën që kanë kaluar Covid-19, ose një vërtetim nga mjeku për pamundësinë e kryerjes së vaksinës.

Autoritetet universitare, por dhe të qeverisë u kanë bërë thirrje studentëve për të treguar përgjegjësi dhe përgjegjshmëri maksimale për të vazhduar procesin e vaksinimit dhe zbatimin e masave të tjera mbrojtëse ndaj virusit.

Viti i ri akademik vjen pas më shumë se një viti online mësimi në universitetet shqiptare.

Bashkë me urimin për një vit të mbarë akademik, kryeministri Edi Rama përsëriti angazhimin për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, ndërkombëtarizimin e universiteteve, si dhe pajisjen e studentëve shqiptarë me aftësi konkurruese si të bashkëmoshatarëve të tyre në BE. (Fatosi)