Në Maqedoninë e Veriut, 1,824.864 qytetarë me të drejtë vote u thirrën në qendrat e votimit, për të zgjedhur kryetarët e 80 komunave dhe anëtarët e këshillave komunalë si dhe ata për kryeqytetin e vendit Shkupin, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Për herë të parë u votua me sistemin e ri biometrik që siguron identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave.

Për kryetarë të komunave garojnë 299 kandidatë dhe 10.600 kandidatë për 577 anëtarë këshillash komunalë. Për Shkupin garojnë 12 kandidatë.

Zgjedhjet mund të mbahen me dy raunde zgjedhore. Nëse asnjëri nga kandidatët nuk merr mbi 50 për qind të votave në raundin e parë, atëherë në raundin e dytë të 31 tetorit kalojnë dy kandidatët që kanë arritur të marrin numrin më të madh të votave në raundin e parë.

Gara kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike, LSDM-së dhe BDI-së që janë në pushtet dhe partive opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Partitë shqiptare garën do ta zhvillojnë për qytetet me shumicë shqiptare, si Tetovë, Gostivar, Çair, Kërçovë, Strugë, Dibër si dhe disa komuna rurale.

Beteja mes partive maqedonase është përqendruar në qytetet e mëdha si Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Velesi, Shtipi, dhe komunat e tjera më të vogla.

Shumica e komunave aktualisht drejtohen nga Lidhja Socialdemokrate e kryeministrit Zoran Zaev, ndërsa komunat me shumicë shqiptare nga Bashkimi Demokratik për Integrim. (Fatosi)