Hekurudhat po rishihen në të gjithë kontinentin evropian si mjet transporti i gjelbër, i shpejtë dhe i përballueshëm, shkruan “Monitor”. Ato po zëvendësojnë fluturimet e distancave të shkurtra dhe të mesme në Evropë dhe rigjallërimi i disa itinerareve të shërbimit të natës mund të bëhet një nga treguesit e rolit të ri që hekurudha do të luajë në Evropën neutrale ndaj karbonit.

Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria janë pjesë e këtij transformimi drejt transportit më të qëndrueshëm, efikas dhe neutral ndaj karbonit.

Samiti i parë i Hekurudhave të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur kohët e fundit në Beograd, ishte një hap i parë drejt integrimit të Ballkanit në tendencat mbarevropiane, duke lehtësuar lëvizjen e shpejtë dhe të sigurt të njerëzve dhe të mallrave në të gjithë kontinentin.

Samiti përcaktoi veprime konkrete për të ndihmuar në zhvillimin e një rrjeti hekurudhor më inteligjent, të digjitalizuar dhe ndërveprues në Ballkanin Perëndimor.

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) synon ta mbështesë këtë transformim me financim më të përballueshëm dhe këshilla teknike për përgatitjen e projektit. Banka ka grumbulluar përvojë të pashembullt në zhvillimin e projekteve hekurudhore gjatë më shumë se 60 viteve të historisë dhe të përfshirjes në projektet kryesore hekurudhore në të gjithë kontinentin.

Vizioni i BEI-t është i thjeshtë, një rrjet funksional, modern dhe i shpejtë hekurudhor që lidh Shqipërinë me Evropën. Më shumë europianë që mrekullohen me liqenin e bukur të Shkodrës ose që u gëzohen bukurive të Adriatikut shqiptar, ose një kompani në Durrës që u eksporton me shpejtësi partnerëve të saj në rajon dhe në BE, janë disa nga shembujt e përfitimeve që do të kenë njerëzit dhe bizneset nga ky vizion. E gjithë kjo, ndërsa mbrohet mjedisi dhe lehtësohen efektet e ndryshimeve klimatike. (Fatosi)