Në 12 bashki në Shqipëri ka nisur edukimi i nxënësve për parandalimin dhe përballimin e fatkeqësive natyrore. Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Zvogëlimin e Riskut ndaj Fatkeqësive, u diskutua për zjarret, përmbytjet, por mbi të gjitha tërmetet që kanë lënë jo pak pasoja në Shqipëri.

Sipas specialistëve, parandalimi dhe përballimi i fatkeqësive natyrore duhet të kalojë në disa etapa, për të cilat janë përgjegjëse strukturat shtetërore, raporton “A2”.

Limya Eltayeb, përfaqësuese e UNDP-së në Shqipëri, u shpreh: “Janë disa objektiva kryesore në parandalimin dhe përballimin e fatkeqësive natyrore. Së pari, të ruajmë jetën e njerëzve, të ruajmë infrastrukturën, të mbrojmë bizneset dhe dyqanet ushqimore, të ruajmë komunitetet nga dëmtimi i banesës së tyre, forcimi i bashkëpunimit rajonal. Shembulli më i mirë ishte ai që ndodhi pas tërmeteve të vitit 2019 dhe e fundit ngritja dhe forcimi i sistemeve paralajmëruese të quajtura GIS, për rastet më të shpeshta si përmbytjet apo zjarret. Paralelisht me këto nevoja, burimet njerëzore nuk janë asnjëherë të mjaftueshme për të dhënë asistencën e tyre në çdo fatkeqësi natyrore”. (Irma)