Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, e konsideroi të rrezikshëm grumbullimin masiv të njerëzve në stadiumin “Air Albania”, ku u zhvillua ndeshja e kombëtares shqiptare të futbollit me Poloninë.

Gjatë një takimi me studentët e Elbasanit, Fico tha se stadiumi i tejmbushur me mbi 22 mijë tifozë pa zbatuar masat anti-Covid do të sjellë rritje të padiskutueshme të rasteve.

Fico bëri edhe njëherë thirrje që qytetarët të vaksinohen për të shmangur fatalitetet. Dhe si argument dha shembullin e Izraelit.

“Në Izrael ka një popullatë të tërë që është e vaksinuar dhe ka infektime. Pyetja është, ku është Izraeli sot me vdekjet?”, -është shprehur Fico.

Gjatë fjalës së saj, Albana Fico u ndal edhe te pasojat që lë Covid në trupin e njeriut. Ajo përsëriti edhe njëherë se vaksinat janë të sigurta dhe disa prej tyre janë drejt certifikimit përfundimtar. (Elona)