Situata shëndetësore e krijuar nga pandemia e Covid-19 ka ndikuar në treguesit e shërbimit spitalor publik.

Sipas raportit të monitorimit të Ministrisë të Shëndetësisë në spitalet shtetërore, për periudhën janar-prill 2021, janë trajtuar 11% më pak pacientë me sëmundje të ndryshme se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në total, në spitalet publike, numri i pacientëve të shtruar për këtë periudhë është 73.556, nga 82.790 pacientë të shtruar në 2020-n.

Sipas të dhënave të Ministrisë të Shëndetësisë, të përpunuara nga “Monitor”, për 4-mujorin e parë të 2021-shit, shtrimet e pacientëve në spitale janë ulur 11%. Rënien më të lartë e kanë rastet e trajtuara nga urgjencat mjekësore. Në 2020-n, në urgjencat mjekësore u trajtuan 264.055 pacientë nga 50.462 pacientë që janë trajtuar për janar-prill 2021. Për pacientët e trajtuar në kardiokirurgji, shtrimet këtë vit janë ulur 5%, krahasuar me janar-prillin e 2020. Ndërkohë, në raport me 2020-n, për këtë vit ka pasur rritje të pacientëve të shtruar në spitalet psikiatrike me 40%.

Sipas specialistëve, në këtë rritje ka ndikuar tërmeti i 2019-s dhe më pas pandemia.

Në 2020-n, grupi i të sëmurëve që u penalizuan më shumë ishte ai i pacientëve me probleme onkologjike, të cilët nuk mundën të merrnin trajtimin sipas grafikëve. (Elona)