Numri i viktimave nga koronavirusi në Shqipëri regjistroi një rënie gjatë javës së fundit (5-11 tetor), e para që prej fundit të muajit korrik. Të dhënat zyrtare tregojnë se në total, 59 persona humbën jetën javën e fundit.

Në rënie është edhe numri i pacientëve spital, përfshirë ata në terapi intensive. Deri të hënën pasdite, sipas të dhënave zyrtare, kishte 161 pacientë, nga të cilët 15 ishin në gjendje të rëndë. Të hënën e një jave më parë ka pasur 20 pacientë më shumë, ndërsa në terapi intensive po trajtoheshin 38 qytetarë.

Për të tretën javë radhazi, rastet e reja po ashtu, shënuan rënie, duke zbritur në 3162 të infektuar rishtazi ose 17.1 për qind më pak sesa në javën pararendëse (28 shtator - 4 tetor).

Edhe pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të reja) zbriti në nivelin 13.7 për qind, nga 15.2 që ishte një javë më parë. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Tendenca e një situate në përmirësim vihet re edhe në rënien progresive të rasteve ende aktive, 6952 në të gjithë vendin nga 8655 që ishin në javën pararendëse. Mbi 44 për qind e tyre janë vetëm në Tiranë, ndërkohë që në qarqet e tjera numri është poshtë kuotës së 1 mijë rasteve aktive. (Elona)