Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Gerald Rockenschaub, deklaroi se vendi është në rrugën e duhur për mbulesën vaksinale, ndërsa e theksoi të nevojshëm një rritje të komunikimit me personat që ende nuk e kanë bërë vaksinën anti-Covid.

Për “Report Tv”, zyrtari i OBSH-së tha se vaksina kineze “Sinovac”, e cila po përdoret në Shqipëri, ka ofruar një mbrojtje të mirë të popullatës.

“Vaksina “Sinovac” po ofron një mbrojtje shumë të mirë për popullatën, kështu që është një vaksinë e mirë dhe e efektshme. Por çështja qëndron nëse vende të caktuara e pranojnë apo e njohin vaksinën “Sinovac”. Ne duhet të presim të shohim çfarë vendimi do të marrin vendet e tjera për njohjen e vaksinës”, -tha Rockenschaub.

Nga ana tjetër edhe në Shqipëri ashtu si në shumë vende të tjera nuk ka pasur shifra të sakta të raportimeve të rasteve me COVID si dhe të fataliteteve. Një ndër arsyet ka të bëjë me mjekimin në shtëpi pa u paraqitur te mjeku.

“Patjetër që nuk është vetëm për Shqipërinë problem, por për shumë vende që kanë pasur një nënraportim të rasteve me Covid dhe rasteve të vdekjeve. Kjo për arsyen sepse persona të cilët kanë qenë të infektuar nuk kanë shkuar të vizitohen pranë mjekut të familjes apo mjekut specialist, kanë qëndruar në shtëpi dhe këto kanë mbetur raste të humbura. Sa i përket statistikave për vdekjet, Instituti i Statistikave ka raportuar një normë të lartë të vdekshmërisë për vitin 2020 pikërisht prej Covid-19. Megjithatë duhen studime më të thelluara për të identifikuar këto vdekje si të shkaktuara prej pandemisë”, -tha kreu i OBSH-së në Shqipëri. Rockenschaub u shpreh se i rëndësishëm është edhe vaksinimi i të rinjve pasi dhe kjo grupmoshë ka pasur raste të shtrimeve në spital dhe në terapi intensive. (Elona)