Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy shtetet që e kanë energjinë elektrike për familjarët më të shtrenjtën në rajon, sipas tabelave të publikuara në faqen e Institutit Evropian të Statistikave, Eurostat. Në fund të vitit 2019, kur janë të disponueshme të dhënat për Shqipërinë, një kilovat orë energji në Mal të Zi kushtonte 0.085 euro dhe në Shqipëri, 0.078 euro (pa përfshirë taksat). Energjia për familjarët është më e lira në Kosovë, me 0.053 euro/kvh. Më pas renditet Serbia (0.055 euro), Maqedonia e Veriut (0.067 euro) dhe Bosnjë-Hercegovina (0.073 euro).

Sipas të dhënave të Eurostat-it, në krahasim me 6-mujorin e parë 2015, çmimet e energjisë elektrike për familjarët (pa përfshirë taksat) për Shqipërinë janë rritur me rreth 15% deri në fund të 2019-s, përcjell Monitor”. Në 6-mujorin e parë të 2015-s, çmimi mesatar ishte 0.0676 euro për kilovat orë dhe në gjysmën e dytë të 2019-s arriti në 0.0778 euro. Në Evropë, më e lira është Ukraina (0.041 euro/kvh) dhe Gjeorgjia (0.052). Mesatarisht, konsumatorët familjarë në shtetet e Bashkimit Evropian (27 shtete) e paguanin energjinë 0.128 euro/kvh (1.6 herë më shumë se në Shqipëri për vitin 2019). Energjia është më e shtrenjtë në Irlandë (0.213) dhe më e lirë në Bullgari (0.8 euro/kvh).

Këtë vit, e gjithë Evropa ka hyrë në një krizë të thellë energjie për shkak të kufizimit të burimeve të prodhimit dhe rritjes së shpejtë të kërkesës pas pandemisë.

Dimri i ftohtë në Evropë dhe në Azi çoi në uljen e rezervave të gazit, ndërsa rimëkëmbja ekonomike nga pandemia ka rritur kërkesën dhe shpejtësia më e ulët e erës në Evropë këtë verë, ka zvogëluar prodhimin e energjisë së rinovueshme. (Elona)