Në Shqipëri autoritetet shëndetësore vazhdojnë t'u bëjnë thirrje studentëve që të vaksinohen, ndërsa javën e ardhshme pritet të nisë viti i ri akademik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një reagim të saj shprehet se vaksinimi nuk është vetëm për të mbrojtur veten, por edhe si një detyrim moral e përgjegjësi qytetare për mbrojtjen e shëndetit të gjithësecilit.

“Një ftesë për çdo student që ende nuk është vaksinuar, të shfrytëzojë këtë javë të vaksinimit të studentëve pranë fakulteteve, për të mbrojtur veten por edhe si një detyrim moral e përgjegjësi qytetare për mbrojtjen e shëndetit të gjithësecilit”, -shprehet ministrja Manastirliu.

Ekipet e punonjësve shëndetësorë do të jenë në të gjitha universitetet e vendit për të pritur studentët që të vaksinohen në mënyrë që viti i ri akademik të fillojë me sa më shumë studentë që kanë kryer vaksinën anti-Covid. (Fatosi)