Krijohet grupi i parë teknik kombëtar i punës për implementimin e standardit “Global G.A.P” në fruta-perimet “Made in Albania”, me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e standardeve për zgjerimin e ekporteve bujqësore shqiptare.

Nisma u mor nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me “Albinspekt bio.inspecta” dhe me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, raporton “ATSH”.

Zv.ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Emira Gjeçi, e pranishme në takimin që zhvilloi në Tiranë grupi i punës, tha se “Global G.A.P” është një nga standardet më të kërkuara nga tregjet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë, i cili do të inkurajojë dhe mbështesë aktorët e përfshirë nëpërmjet përshtatjes së kërkesave me kushtet lokale të Shqipërisë. Sipas saj, ky standard është pasaportë për eksportet bujqësore në tregjet ndërkombëtare.

Grupi teknik i punës përbëhet nga 9 anëtarë: eksportues, konsulentë të certifikuar nga GlobalG.A.P, kompani konsulente, agronomë, përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe shoqata të agrobiznesit. Ai synon të adresojë disa çështje të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të standardit. (Irma)