Ilir Alimehmeti(Foto:a2)

Ilir Alimehmeti(Foto: a2)

Epidemiologu Ilir Alimehmeti deklaroi se për momentin shihet një trend në rënie i shifrave të pandemisë, që sipas tij do të përkthehet edhe me rënie të shifrave spitalore dhe të humbjeve të jetës.

Gjatë një interviste për “A2”, epidemiologu Alimehmeti tha se rastet e reja me Covid-19 mbeten në nivele të larta, gjithnjë duke iu referuar rasteve zyrtare. Ai shtoi se pritet edhe ndikimi i hapjes së shkollave në periudhën në vijim.

Sipas tij, është e vështirë të bëhen parashikime për të ardhmen, por theksoi se në dimër pritet një rritje e infektimeve, por jo e rasteve të rënda. “Me sa dimë, ne mund të themi tani se patjetër dimri do të ketë rritje rastesh, por me faktin që shumica ka fituar imunitet me vaksinë apo e kanë kaluar koronavirusin, do të bëjë që rastet e rënda të jenë shumë më të ulëta”, u shpreh Alimehmeti.

“Qartësisht kemi një rënie të imunitetit nga vaksinat me kalimin e kohës. Ndërsa imuniteti natyror është në gjendje të mbajë më shumë. Në qoftë se ne kemi përgjigjen e këtyre pyetjeve mund të llogarisim valën e radhës”, -tha epidemiologu. (Irma)