Rama samiti(Balkanweb)

Rama samiti(Balkanweb)

Nga samiti BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në Slloveni, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se e ka humbur besimin se Bullgaria do ta kapërcejë ngërçin me Maqedoninë e Veriut sa i takon çeljes së negociatave. Sipas Ramës, për shqiptarët është mjaft e dhimbshme që të dëgjojnë nga BE-ja përsëri se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë, por për fat të keq BE-ja, që ata adhurojnë, nuk është në gjendje të përmbushë premtimet e saj.

Kryeministri shqiptar e ka konsideruar një komplot bllokimin që ka bërë Bullgaria për Maqedoninë e Veriut, duke përmendur se nuk është i vetmi, raporton “Top Channel”.

Rama gjithashtu ka përmendur pikat në të cilat BE-ja duhet të mbështesë Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.

“BE mund të na ndihmojë të mbështesim të rinjtë tanë, duke krijuar mekanizma integrimi në rrjetin e tij të arsimit të lartë për të na ndihmuar të mbajmë më të mirën dhe më të ndritshmin”, -tha Rama.

“BE-ja mund të na ndihmojë duke mbështetur plotësisht nismën tonë për Ballkanin e Hapur, e cila është një përpjekje e bashkërenduar e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për të parandaluar që Procesi vizionar i Berlinit të bëhet një hije e tij dhe të kthehet në një turne vjetor të samiteve nëpër Evropë që përsëriten si ky samit përsërit atë të 18 viteve më parë, pa dhënë rezultate të prekshme”, -tha ai.

Rama e mbylli fjalimin e tij me ironi ndaj BE-së, duke thënë se “bie dakord me deklaratën përfundimtare të samitit, edhe pse askush nuk na pyeti për mendimin e Ballkanit Perëndimor gjatë hartimit të tij”. (Elona)