Mamografia(Top Channel)

Mamografia(Top Channel)

Një aparat i ri mamografie është instaluar në Poliklinikën Qendrore në Tiranë. Në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se gjatë muajit tetor do të ofrohet shërbimi me orar të zgjatur.

“Me këtë investim të ri, besoj që kemi dhënë zgjidhje për gratë e kryeqytetit, sepse shmangen vajtjet nëpër spitale. Poliklinika është gjithmonë shumë më e aksesueshme për të bërë ekzaminime të shpejta. Dua të ftoj të gjitha gratë për mos të neglizhuar kontrollin ndaj vetes, për të vajtur te mjeku i familjes, për të kryer vetëkontrollin, por mbi të gjitha për të kryer mamografinë. Është një ekzaminim falas që ofrohet në Tiranë në Poliklinikën Qendrore, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, në QSUT në Spitalin Onkologjik dhe në të gjitha spitalet rajonale në Shqipëri, ku çdo grua ka mundësi për të shkuar deri në orën 20:00”, -tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se falë investimeve të kryera në 3 vitet e fundit, është përmbushur premtimi për të pasur mamografi në çdo spital rajonal.

“9 spitale rajonale dhe poliklinika janë pajisur me aparatura të reja mamografie. Tashmë çdo spital rajonal kudo në Shqipëri ka pajisje mamografie. Është shumë më e lehtë për gratë, jo vetëm përgjatë muajit tetor që është muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, por përgjatë 365 ditëve të vitit, të shkojnë në spitalet rajonale dhe të bëjnë mamografinë falas”, -u shpreh Manastirliu.

Teksa theksoi se terapia e shtrenjtë e herceptinës për trajtimin e këtyre sëmundjeve ofrohet në spitalet publike falas, Manastirliu tha se çdo vit diagnostikohen 700 raste me kancer të gjirit. (Elona)