Foto:VCG

Foto:VCG

Shpenzimet mesatare mujore për konsum për një familje të përbërë mesatarisht nga 3.6 persona për vitin 2020 llogariten në 83.475 lekë.

Totali i shpenzimeve për konsum është 64.2 miliardë lekë në muaj për 768.963 familje. Sipas anketës mbi buxhetin e familjeve, publikuar nga INSTAT-i, shpenzimet mesatare mujore për konsum të familjeve në vitin 2020 u rritën me 1.6%, krahasuar me vitin 2019.

Referuar INSTAT-it, një familje shpenzoi mesatarisht 34.713 lekë për ushqim dhe pije joalkoolike, duke zënë kështu 41.6% të totalit të buxhetit familjar.

Shpenzimet për banesën, për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla, zënë një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 8357 lekë, që përbën 10% të totalit të buxhetit familjar.

Ndërsa për mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës një familje shqiptare shpenzon mesatarisht në muaj 5794 lekë, që zë 6.9% të buxhetit gjithsej.

Në vitin 2020, qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum. Sipas INSTAT-it, një familje në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 98.737 lekë në muaj.

Pas Tiranës, Korça dhe Fieri janë dy qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, respektivisht 83.160 lekë dhe 79.839 lekë në muaj për familje.

Ndërkohë Kukësi dhe Dibra janë dy qarqet me nivelin më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum, respektivisht 70.252 dhe 71.135 lekë në muaj për familje.

Rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet qarku i Elbasanit me 7%, ndjekur nga qarku i Dibrës me 4.9%. (Elona)