Foto:VCG

Foto:VCG

Në bazë të marrëveshjes së re me kompaninë “Pfizer”, Shqipëria pritet të marrë brenda këtij viti 500.760 doza vaksine kundër Covid-19, që do të shërbejnë për të rritur mbulesën vaksinale. Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha po ashtu se përmes instrumentit “Covax” deri në fund të vitit priten edhe rreth 400 mijë doza vaksine të tjera.

Në fjalën e saj, Manastirliu theksoi se në sajë të marrëveshjeve me kompani të ndryshme, por edhe më partnerë si BE dhe shtete anëtare, në Shqipëri kanë mbërritur më shumë se 2 milionë doza vaksine.

Manastirliu bëri të ditur se janë në negociata me kompaninë “Pfizer” për të siguruar vaksina të tjera për vitin që vjen për të rritur mbulesën vaksinale dhe për t’iu përgjigjur çdo skenari.

Lidhur me vaksinimet e kryera deri tani, Manastirliu tha se është vaksinuar rreth 44% e popullsisë target, mbi 18 vjeç. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1.764.714 doza të vaksinës ndaj Covid-19. Prej tyre 811.765 qytetarë i kanë kryer të dy dozat. (Elona)