Veliaj foto nga Atsh

Veliaj foto nga Atsh

Nga Parku i Liqenit Artificial, ku ka nisur fushata e re e gjelbërimit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen eventit më të madh sportiv në kryeqytet, Maratonës së Tiranës, në datën 17 tetor.

Veliaj tha se edicioni i pestë i maratonës do të zhvillohet në një itinerar që përfshin pjesët më të bukura të qytetit, mes të cilave edhe Parku i Liqenit.

“Data 17 tetor do të na gjejë të gjithëve duke vrapuar për kauza të ndryshme. Disa do të vrapojnë për refugjatët, disa për rritje fondesh për mjedisin, disa të tjerë për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Gjithsecili do të vrapojë për kauzën e tij, por kauza jonë e përbashkët është Tirana, e cila vitin tjetër do të jetë kryeqyteti evropian i rinisë dhe do të vizitohet nga shumë të rinj. Një nga kartolinat më të bukura do të jetë pikërisht Parku i Liqenit. Kjo është arsyeja pse e kemi bërë pjesë të itinerarit të maratonës, e cila do të ndahet në një pjesë urbane dhe në një pjesë të rrjetit tonë të parqeve. U lutem të gjithë qytetarëve, jo vetëm atyre që do të vrapojnë, por edhe atyre që nuk do vrapojnë, të gjithë mund të na japin një dorë”, -u shpreh Veliaj.

Veliaj njoftoi se e diela e maratonës do të jetë një ditë pa makina.

Bashkia e Tiranës ka çelur ndërkohë zyrtarisht fushatën e mbjelljeve dhe të pyllëzimit, pikërisht ditën kur mbushen plot 6 vjet nga ngritja e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.

Kjo agjenci ka nisur këtë fushatë të re të gjelbërimit me 600 rrënjë të mbjella në Parkun e Liqenit Artificial, ndërkohë që fushata do të vijojë edhe në parqe të tjera të kryeqytetit. (Elona)