Shqipëri-OSBE(ATSh)

Shqipëri-OSBE(ATSh)

Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasador Vincenzo Del Monaco nënshkruan të martën memorandumin e mirëkuptimit për mbështetjen e autoriteteve kombëtare të Republikës së Shqipërisë për të ulur rrezikun e përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të lehta dhe të vogla (AVL).

Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe Prezencës në Shqipëri të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), u nënshkrua në kuadër të vizitës së ministres së Jashtme suedeze, Ann Linde në Tiranë, në cilësinë e kryetares së radhës së OSBE-së dhe takimit zyrtar me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka.

Ky memorandum mirëkuptimi krijon kuadrin e bashkëpunimit për zbatimin e projektit me fokus në 3 fusha kryesore.

Memorandumi parashikon bashkëpunim në zbatimin e procesit të çaktivizimit të armëve të zjarrit dhe ndërtimin e një mekanizmi mbikëqyrës; forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe aftësive të qenve të policisë për zbulimin e armëve, municioneve dhe eksplozivëve përmes mbështetjes infrastrukturore, operacionale dhe teknike; mbështetjen e Komisionit Kombëtar të AVL-ve dhe autoriteteve shqiptare në ngritjen e vetëdijes publike mbi rreziqet e keqpërdorimit dhe përhapjes së armëve të vogla dhe të lehta.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit shqiptar, si nxitësit kryesorë të zbatimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit Kombëtar për AVL, kanë identifikuar disa fusha prioritare në këtë drejtim dhe thelluar bashkëpunimin me organizmat ndërkombëtare, duke shënuar njëkohësisht arritje domethënëse në përmbushje të objektivave të Udhërrëfyesit për Armët e Vogla dhe të Lehta në Ballkanin Perëndimor dhe Planit të Veprimit të Bashkimit Europian kundër Trafikimit të Armëve të Zjarrit, 2020-2025.

Parandalimi, kontrolli dhe ndalimi i përhapjes së armëve të vogla dhe të lehta në përputhje me Strategjinë Kombëtare të AVL, si dhe me nismat dhe standardet ndërkombëtare, mbeten prioritete strategjike të qeverisë shqiptare. (Elona)