Kryeministri Edi Rama, A2

Kryeministri Edi Rama, A2

Kryeministri shqiptar Edi Rama, në një mesazh publik, paralajmëroi për përfshirjen e Shqipërisë në krizën e jashtëzakonshme energjetike botërore, por për të cilën u zotua se do të përballohet me vendosmëri, besim, durim dhe sukses.

Rama tha se ajo është një fatkeqësi e re natyrore e kombinuar me faktorë gjeopolitikë e manovra tregtare, një tjetër sfidë e rëndë që nuk e kemi zgjedhur vetë.

Kryeministri Rama paraqiti shifra të shumta që tregojnë për përmasat botërore të krizës, por tha se gjithçka do të përballohet. Sipas tij, përgjegjësia dhe detyra numër një e qeverisë shqiptare, është të mbrojë nga goditja e kësaj fatkeqësie të re, shtresat më në nevojë, konsumatorët familjarë, si edhe biznesin e vogël.

"Kini besim të plotë, siç kam edhe unë besim të palëkundur, se siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, do t’ia dalim edhe kësaj sfide të madhe me energjinë. Asnjë frikë, asnjë pasiguri, vetëm vendosmëri, durim e besim, se më e mira do të bëhet dhe Shqipëria do të vazhdojë të synojë majën që i kemi vënë vetes qëllim, në rrugëtimin sfidues të kësaj dekade të re ku sapo kemi hyrë", -mbylli fjalën e tij kryeministri shqiptar Edi Rama. (Fatosi)