Tetori është muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, çeli fushatën kundër kancerit të gjirit. Ajo u bëri thirrje grave që të marrin pak kohë për shëndetin e tyre dhe të bëjnë një kontroll të gjirit.

Nëpërmjet një mesazhi drejtuar grave dhe vajzave, Manastirliu bën apel që mos të neglizhojnë shëndetin e tyre dhe të kryejnë në kohë ekzaminimet, pasi sipas saj, mamografia tashmë është siguruar në çdo spital rajonal.

“Programi ynë i diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit ka siguruar mamografitë në çdo spital rajonal nga veriu në jug dhe ky shërbim është falas. Vetëm duke pasur shëndet të mirë, duke u kujdesur për veten ne gratë mund të shpalosim potencialin tonë të plotë, në përmbushje të misionit tonë për mirërritjen e fëmijëve, për kujdesin ndaj familjes dhe për zhvillimin e shoqërisë. Unë besoj te forca e shembullit”, -tha Manastirliu. (Irma)

Ministri Manja: Së shpejti hartë të re gjyqësore, shërbimet aty ku ka gjykata

Së shpejti do të kemi një hartë të re gjyqësore, deklaroi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja pas konferencës “Roli i Institucioneve Vetëqeverisëse të Drejtësisë”.

Ministri Manja theksoi se miratimi i hartës së re gjyqësore, si një mekanizëm efikas për riorganizimin e sistemit gjyqësor, është një nga prioritete e punës së Ministrisë së Drejtësisë, citon “ATSH”.

Manja tha se procesi i miratimit të hartës së gjyqësorit është një proces jo i lehtë, sepse ka të bëjë me riorganizimin e sistemit të gjykatave dhe të prokurorisë, sepse prokuroritë funksionojnë pranë gjykatave.

“Është një proces që merr në konsideratë shumë faktorë të tjetër që kanë të bëjnë me aksesin e shërbimeve të qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë. Pra le të themi duhet të kemi një hartë të re gjyqësore që i vjen në ndihmë plotësimit të vakancave në sistemin gjyqësor, por pa cenuar aksesin e qytetarëve te shërbimet gjyqësore”, -tha ministri i Drejtësisë. (Irma)