Prej 4 tetorit deri më 15 nëntor Instituti i Statistikave pritet të nisë rinumërimin e popullsisë dhe të banesave në Shqipëri. Faza pilot e censit kryhet në kuadër të përgatitjeve për aktivitetin e numërimit të popullsisë rezidente dhe banesave, i cili do të kryhet në vitin 2022.

“Qëllimi kryesor i censit pilot është të provojë në kushte reale hartografinë, metodologjinë, strukturën organizative, sistemin e mbledhjes së të dhënave, planifikimin logjistik dhe ndërveprimin e të gjitha burimeve të planifikuara në vet numërimin aktual”, -tha drejtoresha e INSTAT-it, Elsa Dhuli, në një konferencë shtypi.

Pyetjet e përgatitura për qytetarët do të zbulojnë jo vetëm lëvizjen demografike të saj, por edhe nivelin arsimor, ekonomik dhe social. Për testin pilot janë përzgjedhur 50 zona të Shqipërisë.

“Janë përzgjedhur 50 zona censi në 9 bashki të vendit: Fushë Arrëz, Dibër, Tiranë, Kamëz, Durrës, Korçë, Pustec, Selenicë dhe Dropull”, -tha Dhuli.