Marrëdhëniet Shqipëri-Kinë dhe bashkëpunimi në nivel parlamentar ishin në qendër të takimit të kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, me ambasadorin e Kinës në Tiranë, Zhou Ding.
Ambasadori Ding i uroi kryeparlamentares Nikolla suksese në detyrën e lartë të kryetares së Kuvendit dhe e garantoi për vullnetin e Kinës për të zgjeruar bashkëpunimin me Shqipërinë si dhe rritjen e bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve.
“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës janë miqësore. Marrëdhëniet ekzistuese politike, midis qeverive e parlamenteve të të dy vendeve, mund dhe duhet të intensifikohen. Midis të dy vendeve ka edhe mundësi të pashfrytëzuara për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar”, -thuhet në njoftimin për medie të zyrës së shtypit të Kuvendit.
Po ashtu, vlerësohet se shkëmbimet parlamentare mes Shqipërisë dhe Kinës kanë qenë shumë të mira, në formën e vizitave zyrtare në nivele të larta si edhe në nivel të delegacioneve të Grupeve të Miqësisë.
Kryeparlamentarja Nikolla nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë do të rrisë bashkëpunimin me Asamblenë Kombëtare Popullore të Kinës dhe do të nxisë bashkëpunimin e gjithanshëm midis të dy vendeve dhe dy popujve tanë. (Elona)