Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, në konferencën për shtyp me kryeministrin Edi Rama ka dhënë detaje nga plan i investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë në veçanti. Ajo ka zbuluar se dy propozimet nga Shqipëria janë projektet e rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës-Podgoricë dhe hidrocentralit të Fierzës.

Deri tani, sipas presidentes von der Leyen janë vënë në tavolinë 9 miliardë euro, synimi është për të sjellë edhe 20 miliardë të tjera.

Sa i përket rimëkëmbjes, Von Der Leyen tha se BE ka mobilizuar 3.3 miliardë euro për të mbështetur rajonin.

“Shqipëria ka marrë 230 milionë euro me anën e granteve dhe financimeve në mënyrë që t’ju ndihmojë me pasojat e pandemisë, siç kemi bërë dhe në BE ku kemi pompuar në ekonomi likuiditet të shumtë, sepse pasojat e pandemisë ishin të mëdha. Sigurisht këtu kishim të bënim që me pajisje mjekësore, por edhe me paketa të plota për rimëkëmbjen ekonomike”, -tha Von der Leyen.

Ajo nënvizoi se tani sytë duhet t’i hedhim drejt së ardhmes, pra investimet që do të bëjnë të mundur një rimëkëmbje që të zgjasë ndër vite.

“Qytetarët e Shqipërisë meritojnë një të ardhme të gjelbër e digjitale. Meritojnë vende pune të mirëpaguara, ky është plani ynë i investimeve, ekonomike për Ballkanin. Kemi vënë në tryezë 9 miliardë euro. Ju bëni propozime për projekte cilësore, solide, të forta që së bashku të sjellim më shumë se 20 miliardë euro të tjera.

Po bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, po bashkëpunojmë si partner duke identifikuar projektet më të mira. Për Shqipërinë do të punojmë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Podgoricë dhe Fierzën”, -tha Von der Leyen. (Elona)