Në Shqipëri të hënën nisi viti i ri shkollor 2021-2022. Rreth 500 mijë nxënës u ulën në bankat e shkollave nën thirrjet për të respektuar me rigorozitet masat anti-Covid.

Në klasa është detyrueshme mbajtja e maskave dhe distancimi mes nxënësve.

Komiteti i Ekspertëve që ndjekin ecurinë e pandemisë, vendosi që mësuesit duhet të kenë certifikatë vaksinimi ose test të përjavshëm ndaj Covid-19.

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Evis Kushi deklaroi se në të gjitha shkollat janë marrë masat për mbarëvajtjen e vitit shkollor.

Ajo ftoi nxënësit të respektojnë masat anti-Covid, duke thënë se shëndeti është elementi më i rëndësishëm në këto kohë pandemie. (Fatosi)