Një grup tjetër me 259 fëmijë, gra e burra të larguar nga Mazari Al Sharif, mbërriti të shtunën në Shqipëri në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza" të Rinasit.

“Falë koordinimit me partnerët, ata kanë tani një strehë të sigurt, duke rikonfirmuar edhe njëherë seriozitetin dhe përkushtimin e Shqipërisë për shpëtimin e qindra qytetarëve afganë”, - u shpreh ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, e cila priti qytetarët afganë.

Autoritetet shqiptare shprehën menjëherë gatishmërinë për të strehuar një numër qytetarësh afganë sapo shpërthyen dhuna talebane dhe trazirat në Kabul.

Numri i shtetasve afganë të srehuar Shqipëri është aktualisht në afro 960 persona, të cilët kanë mbërritur herë pas here në grupe të ndryshme pas trazirave që shpërthyen në Kabul.

Shqipëria është një ndër vendet e para që u angazhua për mikpritjen e qindra grave, vajzave, fëmijë, gazetarë e përkthyes dhe veprimtarëve të shoqërisë civile afgane. Ajo është zotuar të presë 4000 qytetarë afganë. (Fatosi)