Në Shqipëri vazhdon me intensitet procesi për rindërtimin e banesave pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të vitit 2019 që goditi vendin, shkruan “ATSH”. 4500 banesa individuale dhe 12 mijë apartamente në lagjet e reja do të jenë gati pranverën që vjen, thonë autoritetet. Fondi në total nga buxheti i shtetit për këtë program në tre vite llogaritet mbi 60 miliardë lekë.

Ndërkohë 100% e granteve të premtuara në Konferencën e Donatorëve, ose rreth 300 milionë euro, janë aktive në mbi 30 projekte konkrete në strehim, arsim dhe infrastrukturë publike.

Ndërkaq mbi 33 mijë e 400 familje kanë përfituar grante rikonstruksioni dhe rindërtimi në vlerën 12.7 miliardë lekë, krahas rikonstruksionit të ambienteve të përbashkëta në mbi 1100 pallate.

13 mijë e 325 qytetarë janë trajtuar me bonus qiraje, pagesa që do të vazhdojnë deri në rikthimin në banesat e reja.

27 shkolla kanë përfunduar, ndërsa puna vijon çdo ditë në kantieret e rinj të objekteve arsimore, pallateve dhe infrastrukturës publike në lagjet e reja që do ti shërbejnë 500 mijë banorëve.

450 kompani kanë angazhuar mbi 24 mijë punëtorë në rreth 3100 kantiere ndërtimi ku po marrin formë çdo ditë godinat e reja të pakrahasueshme me ato që shkatërroi tërmeti.

Autoritetet shqiptare thonë se në fund të pranverës së vitit 2022 nuk do të ketë më asnjë gjurmë të tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019. (Fatosi)