Importet e mallrave të akcizës, të tilla si karburante, cigare, kafe dhe birrë janë rritur me shpejtësi gjatë këtij viti si rrjedhojë e kërkesës së lartë post-pandemike, duke thyer rekordin historik, bën të ditur “Monitor”.

Sasitë e importuara janë rritur në një kohë që edhe çmimet e produkteve të akcizës në tregun ndërkombëtar kanë arritur nivele të larta. Rritja e çmimeve dhe sasive të importuara ka ndikuar pozitivisht të ardhurat buxhetore, por nga ana tjetër konsumatorët po përballen me një valë të menjëhershme të rritjes së çmimeve për të gjithë artikujt e mallrave dhe shërbimeve.

Importet e karburanteve shënuan rritje historike këtë vit. Në 8-mujorin e këtij viti është importuar sasia më e lartë e shënuar ndonjëherë, me 408 mijë tonë ose 21 për qind më shumë se në vitin 2020 po në të njëjtën periudhë. Burimet nga tregu pohojnë se rritja e importeve po nxitet nga kërkesa post-pandemike, nga procesi i rindërtimit dhe nga mosfunksionimi i rafinerisë së naftës ARMO.

Sasia më e lartë mujore është importuar në gusht me rreth 66.8 mijë tonë, një rekord i pashënuar ndonjëherë edhe pse çmimi i naftës është në rritje.

Importet e cigareve në sasi janë rritur me 31 për qind në 8-mujor. Të dhënat nga ministria e Financave tregojnë se janë importuar 2219 tonë në 8-mujor me një rritje rekord prej 31% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (Elona)