Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara Zhang Jun/ CGTN

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara Zhang Jun theksoi të hënën se respektimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial të të gjitha shteteve është themeli i sigurisë së përbashkët.

Parimi i rëndësishëm i respektimit të sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial, siç përcaktohet në Kartën e OKB-së, është themeli i së drejtës ndërkombëtare bashkëkohore dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare, tha Zhang Jun gjatë një mbledhjeje të hapur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për sigurinë e përbashkët.

"Nëse ky parim shpërfillet dhe braktiset, i gjithë sistemi i së drejtës ndërkombëtare do të tronditet nga themelet, bota do të kthehet në ‘ligjin e xhunglës’ dhe nuk mund të bëhet aspak fjalë për siguri të përbashkët," paralajmëroi ai.

“Për këtë arsye, ne duhet të mbajmë një qëndrim të prerë, të respektojmë gjithmonë sovranitetin e integritetin territorial të të gjitha vendeve, të respektojmë rrugën e zhvillimit dhe sistemin shoqëror të zgjedhur në mënyrë të pavarur nga populli i secilit vend dhe të respektojmë përpjekjet e çdo vendi për të mbrojtur unitetin shtetëror dhe solidaritetin kombëtar”.

Ky është rregulli i artë i ndërveprimeve mes shteteve, si dhe themeli për arritjen e sigurisë së përbashkët, deklaroi i dërguari kinez.

Kina respekton gjithmonë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të tjera, mbështet drejtësinë ndërkombëtare dhe përkrah përpjekjet globale për arritjen e sigurisë së përbashkët, u shpreh Zhang, duke shtuar se Kina gjithashtu do të marrë të gjitha masat për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin dhe integritetin e vet territorial. (Artan)