Foto: VCG

Foto: VCG

Në korrik të këtij viti, vëllimi i kontejnerëve të përpunuar në Portin e Shangait, portin më të madh në botë, i kaloi 4.3 milionët, duke vendosur një rekord historik. Përveç rikthimit gradual të prodhimit në normalitet, ky rezultat ka ardhur edhe për shkak të promovimit të përdorimit të teknologjisë digjitale nga Porti i Shangait. "Leja elektronike për parandalimin e epidemisë" është një prej tyre.

Dai Yue, menaxher i përgjithshëm i Njësisë Digjitale Portuale dhe të Transportit të Grupit të Portit Ndërkombëtar të Shangait (SIPG), thekson: "Në fakt, drejtuesit e automjeteve mund ta kalojnë pa e ndier daljen. Ata nuk ka nevojë të parkojnë. Ne e bëjmë verifikimin automatikisht në sfond. Mendoj se kjo e përmirëson efikasitetin tonë të përgjithshëm të qarkullimit."

Portet bregdetare kineze i kanë kapërcyer efektet negative të epidemisë së koronavirusit të ri e të konflikteve gjeopolitike ndërkombëtare dhe janë përpjekur të përdorin teknologji të reja për të përmirësuar efikasitetin operacional. Në gjysmën e parë të vitit 2022, numri i përgjithshëm i kontejnerëve standard të përpunuar në portet kineze arriti në 140 milionë, duke u rritur 3 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndër ta, mbi 85 milionë ishin kontejnerë të tregtisë së jashtme, 6.1 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vjetshme.

Ronnie Lins, drejtor i Qendrës Braziliane për Studimet e Kinës, vëren: "Digjitalizimi është një nxitës teknologjie që do të përdoret gjerësisht në portet detare të Kinës. Prandaj, shërbimet do të kenë produktivitet dhe efikasitet më të madh, duke u bërë më konkurruese." Enriko Ceko, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm, shprehet: "Ndërsa vëllimet e tregtisë vazhdojnë të rriten, po ashtu rritet nevoja për investime në infrastrukturën detare, nevoja për të zgjeruar qarkullimin e porteve detare, efikasitetin dhe efektivitetin e operacioneve të porteve detare, dhe Kina e ka bërë këtë më së miri."

Që nga viti 2013, Kina ka ruajtur statusin e "vendit më të madh në tregtinë e mallrave në botë", shoqëruar me faktin se përmasat e porteve kineze jo vetëm që renditen të parat në botë për shumë vjet radhazi, por edhe treguesit përkatës të tyre janë ndër më të mirët në botë.

Francesco Maringiò, president i Shoqatës Italiane të Promovimit të Rrugës së Re të Mëndafshit, thotë: "Treguesi i Ndërlidhshmërisë së Transportit Detar (LSCI) është një sistem vlerësimi i bazuar në shkallën e integrimit ndërmjet porteve të kontejnerëve dhe rrugëve të kalimit të anijeve në vende të ndryshme. Sipas këtij treguesi, shumë porte kontejnerësh në Kinë janë portet më të ndërlidhura në botë. Treguesi LSCI i Kinës është shumë më i lartë sesa i vendeve të tjera të renditura dikur në krye, si ShBA-ja dhe Singapori."

Ndërsa Ronnie Lins tha: "Aktualisht, mund të shihet se portet kineze janë më mirë se portet e tjera të rëndësishme të botës në parametra të tillë si treguesi mesatar i bllokimit të porteve, koha mesatare e ankorimit të anijeve dhe numri i anijeve të ankoruara."

Zhvillimi i shpejtë dhe funksionimi efikas i porteve kineze luan një rol të rëndësishëm në qarkullimin e lirshëm të zinxhirëve globalë të industrisë e të furnizimit dhe në promovimin e zhvillimit ekonomik global.

Dr. Michael Borchmann, ish-drejtor i Departamentit të Çështjeve Evropiane dhe Ndërkombëtare të landit gjerman të Hesenit, vë në dukje: "Rrugët e qëndrueshme dhe të sigurta të transportit janë pjesë përbërëse e rimëkëmbjes dhe forcimit të zinxhirëve të furnizimit. Edhe në sfondin e një bllokimi të pjesshëm të trafikut tokësor, veprimtaria më aktive portuale e Kinës jep besim për perspektivën."

Kurse Vicentiu Gheorghe, president nderi i Shoqatës Rumune CHINARO, thotë: "Funksionimi efikas i porteve kineze ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të zinxhirit industrial dhe zinxhirit të furnizimit global."