Studiuesit nga Akademia Kineze e Shkencave (CAS) dhe autoritetet meteorologjike të Kinës kanë ndërtuar një stacion të ri meteorologjik në një lartësi prej 5200 metrash në Rajonin Autonom të Xinjiang Uygur të Kinës veriperëndimore. Stacioni i lartësisë më të lartë në seksionin e mesëm të maleve Kunlun mund të kryejë transmetimin automatik të të dhënave bazuar në satelitët “BeiDou”. Nisja e tij e suksesshme pritet të mbushë boshllëkun në të dhënat e vëzhgimit meteorologjik në zonë, sipas Institutit të Fizikës Atmosferike të CAS, citon “Xinhua”.

Studiuesit krijuan stacionin gjatë ekspeditës së tyre të fundit shkencore në malet Kunlun që synonte të studionte ndryshimin e klimës dhe sinergjinë e erërave perëndimore dhe sistemeve të musonit. Në ekspeditë shkencore morën pjesë rreth 40 ekspertë dhe studiues.

Pavarësisht kushteve ekstreme mjedisore, studiuesit instaluan pajisje për zbulimin e motit të zhvilluara nga Kina në stacionin e ri. Stacioni i motit pritet të ofrojë të dhëna të vlefshme meteorologjike për studimin e fenomeneve të motit të lartësive të mëdha, ndryshimeve klimatike dhe karakteristikave unike të reshjeve në malet Kunlun, me ndihmën e rrezatimit ultravjollcë dhe sistemeve të vëzhgimit në temperaturë të ulët.

Vitet e fundit, rrafshnalta Qinghai-Tibet po bëhet dukshëm më e ngrohtë dhe më e lagësht, ndërsa shpeshtësia e motit ekstrem në Xinjiang jugor është rritur gjithashtu ndjeshëm. (Elona)