Foto nga VCG

Kina ka nisur racionimin e energjisë elektrike në disa rajone të vendit përballë një vale rekord të të nxehtit të shoqëruar me nivelin më të ulët të reshjeve në histori. Analistët thonë se racionimi pengon prodhimin në disa sektorë, por ndikimi është i kufizuar.

Rajonet që njoftohet se kanë filluar racionimin e energjisë elektrike përfshijnë Sichuan-in, Zhejiang-un, Jiangsu-në e Anhui-n, ku pushteti vendor po u kërkon gjithashtu ndërmarrjeve industriale të bëjnë rregullime në përdorimin e energjisë.

Ndër rajonet më të goditura është provinca Sichuan e Kinës Jugperëndimore, ku thatësira ka shkaktuar gjithashtu rënie të ndjeshme të prodhimit të hidrocentraleve. Ndikimi është më i madh këtu pasi hidrocentralet prodhojnë 85 për qind të vëllimit të përgjithshëm të energjisë në këtë provincë, sipas të dhënave të vitit 2020, shumë më tepër se niveli kombëtar prej 17 për qind.

Në kryeqendrën e Sichuan-it, Chengdu, ndërsa më shumë njerëz përdorin kondicionerët, ngarkesa e energjisë gjatë orëve të pikut është rritur në rreth 40 - 50 % të ngarkesës së përgjithshme të energjisë në mbarë qytetin, raportojnë mediat vendore.

Megjithatë, studiuesit e Korporatës Ndërkombëtare të Kapitalit të Kinës (CICC) argumentojnë se ndikimi i këtij raundi të ndërprerjeve të energjisë do të jetë i kufizuar, duke thënë se ato janë sezonale, të përkohshme e të kufizuara në rajonet e prekura nga nxehtësia ekstreme dhe mungesa e reshjeve të shiut.

Të dhënat nga Qendra Kombëtare Klimatike e Kinës tregojnë që, deri më 15 gusht, vala e të nxehtit në vend zgjati për 64 ditë, koha më e gjatë që nga viti 1961. Mesatarja kombëtare e reshjeve në korrik ishte 96.6 milimetra, 20.6 për qind më e ulët se një vit më parë, duke zënë vendin e dytë më të ulët në të njëjtën periudhë në histori që nga viti 1961, sipas të dhënave nga Administrata Meteorologjike e Kinës. (Artan/Fani)