Foto nga VCG

Kushtet e thatësirës të shkaktuara nga moti i nxehtë i qëndrueshëm dhe reshjet e pakta që nga korriku kanë kërcënuar prodhimin e hidrocentraleve në provincën Sichuan të Kinës jugperëndimore, tha të mërkurën dega provinciale e Korporatës Shtetërore të Rrjetit të Kinës (State Grid).

Sichuan është goditur nga një periudhë e gjatë nxehtësie këtë verë, me reshje mesatare 51 për qind më pak se në të njëjtën periudhë në vitet e mëparshme, sipas kompanisë.

Sasia e ujit nga lumenjtë kryesorë në Sichuan është 20 deri në 50 për qind më pak, duke bërë që kapaciteti i prodhimit të hidrocentralit të ulet në mënyrë drastike, citon “Xinhua”.

"Disa rezervuarë kryesorë në Sichuan janë tharë. Kapaciteti i prodhimit të energjisë bie ndërsa hendeku midis ofertës dhe kërkesës rritet",- tha Zhou Jian nga dega e Sichuan. Krahina po bën të gjitha përpjekjet për të siguruar konsumin e energjisë elektrike në familje, duke u bërë thirrje ndërmarrjeve që të shmangin përdorimin e energjisë elektrike gjatë orëve të pikut. Për më tepër, Sichuan tani ka rezerva të mjaftueshme të qymyrit dhe furnizim për prodhimin e energjisë. Magazinimi i qymyrit në degën e Sichuan të Rrjetit Shtetëror është trefishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. (Elona)