Më 15 gusht 2022 u zhvillua forumi televiziv “Globalizimi: kërcënim apo mundësi”, organizuar nga Rrjeti Global i Televizionit të Kinës (CGTN). Në platformën virtuale, mendimtarë, politikëbërës dhe studiues me famë botërore, u mblodhën për të diskutuar dhe karakterizuar gjendjen aktuale të globalizimit.

Foto:CMG

Foto:CMG

Pjesëmarrësit në këtë forum ishin figura të njohura si Esko Aho, ish-Kryeministër i Finlandës; Djoomart Otorbaev, ish-Kryeministër i Kirgistanit; Leslie Maasdorp, zëvendës-President dhe Drejtor Kryesor Financiar i Bankës së Re për Zhvillim (NDB): Joerg Wuttke, President i Dhomës së Tregtisë së BE-së në Kinë; Peter Burnett, Kryetar i Dhomës Britanike të Tregtisë në Hong Kong; Jorge Heine, ish-ambasador i Kilit në Kinë dhe Prof. Zhu Ning, zëvendës Dekan në Institutin e Financave të Avancuara të Shangait, Universiteti Jiao Tong. Përveç sa me sipër, një audiencë prej afro 20 pjesëmarrësish, si përfaqësues të botës akademike dhe mediatike ishin të ftuar për debat dhe pyetje-përgjigje pas fjalimeve kryesore.

Sipas pjesëmarrësve, globalizimi në formën që njohim botërisht, është në një udhëkryq të madh. Gjeopolitika po mbizotëron në raport me logjikën ekonomike, dhe vitet pandemike bashkë me muajt e fundit të konfliktit në Ukrainë, kanë mënjanuar globalizimin në këmbim të dhënies prioritet shëndetit publik dhe sigurisë kombëtare.

Por, kjo situatë nuk duhet dhe nuk mund të zgjasë shumë, duhet rikthyer në kushtet normale të konkurrencës ndërkombëtare. Çdo vend, çdo rajon do të duhet të kërkojë të përmirësojë konkurrueshmërinë e tij dhe të rrisë vlerat e ekonomive lokale përballë botës. Kjo, nuk është e lehtë, por është e arritshme. Kjo çështje duhet të debatohet mes mendimtarëve në qarqet akademike, politike dhe të biznesit. Prandaj, ka nevojë të debatohet dhe kuptohet se cila do të ishte rruga më e mirë për t'u kthyer nga gjeopolitika në gjeo-ekonomi dhe konkurrencë normale.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në përgjithësi, kjo krizë e madhe, e cila është një krizë politike, mund të riformësojë qëllimet ekonomike të çdo kombi. Në të ardhmen, do të duhet që gjeopolitika të mos mbulojë gjithçka tjetër, sepse botës i duhen skenarët më të mirë të globalizimit për t'u materializuar. Për të arritur këtë, të gjithë aktorët duhet të përfshihen në debatin mbi globalizimin: politikëbërësit, vendimmarrësit, qarqet e biznesit dhe publiku duhen sjellë në debat për të transmetuar shqetësimet e tyre për të avancuar komunikimin dhe bashkëpunimin.

Tendencat e de-globalizimit

Kufizimet e kohëve të fundit mbi teknologjinë, për shembull, mund të jenë pjesë e të ashtuquajturës tendencë të de-globalizimit. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se globalizimi është shumë më tepër se tregtia. Tregtia e lirë është një pjesë e globalizimit, por ka edhe aspekte të tjera të rëndësishme. Me kalimin e viteve është vendosur një ekuilibër delikat në tendencat e globalizimit, por vitet e fundit po dëgjohet më shumë për shqetësimet mbi sigurinë kombëtare, sigurinë ekonomike etj. Dhe kjo ka sjellë mungesë besimi midis fuqive industriale të botës.

Për pjesëmarrësit në forum, kjo gjendje ka nevojë për veprim të përqendruar. Ekziston një rrezik në këtë aspekt që etiketohet si mungesë besimi. Kjo lloj shkëputje apo ndarje e ekonomive të ndryshme nga njëra-tjetra do të çojë në një situatë që nuk do të jetë në gjendje të kontrollohet.

Për folësit, bota do të kuptojë se kjo lloj qasjeje nuk funksionon sepse nuk ka funksionuar kurrë në të kaluarën. Globalizimi dhe integrimi ekonomik kanë sjellë përfitime të jashtëzakonshme, si akses të lehtë në prodhime më të lira, rritje industriale, ulje varfërie, etj. Aktualisht, sfida është thjesht të kuptohet se ka ende shumë përfitime, ende të pa eksopozuara.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ngjarjet e viteve të kaluara kanë bërë të nevojshme që për shkak të bllokadave të mëdha të nevojiten disa garanci për të ardhmen. Pandemia ishte një shembull i tillë, por edhe bllokimi i Kanalit të Suezit për kompanitë evropiane ishte një moment për të kuptuar se sa të varur janë nga disa zinxhirë furnizimi specifikë. Nga ana tjetër, folësit argumentuan sërish humbjen e besimit deri diku, sigurisht mes Perëndimit dhe Rusisë, por edhe mes SHBA-së dhe Kinës.

Pasiguria e klimës së biznesit sjell vetëm dëme

Përfaqësues nga bota e biznesit argumentuan se mjedisi i biznesit po bëhet më i pasigurt, më i politizuar dhe se ata janë subjekt i nacionalizmit. Ky lloj qëndrimi nuk i ndihmon askujt dhe vetëm po nxit pengesat për tregtinë dhe shkëmbimin mes bizneseve dhe vendeve.

Organizatori i pyeti të ftuarit nëse ata do të jepnin komentet e tyre të përgjithshme mbi projektligjin e fundit “CHIPS” në SHBA dhe nëse jemi në fillimin e një epoke të re ekonomike globale. A jemi në një pikë kthimi?

Presidenti Biden nënshkroi më 9 gusht një projekt-ligj për të ofruar 52.7 miliardë dollarë subvencione për prodhimin dhe kërkimin e gjysmëpërçuesve në SHBA dhe për të rritur përpjekjet për t'i bërë Shtetet e Bashkuara më konkurruese me përpjekjet e shkencës dhe teknologjisë së Kinës. "E ardhmja do të bëhet në Amerikë," tha Biden. Projektligjit për mikroçipat dhe shkencën të vitit 2022 - sipas Biden, do të forcojë udhëheqjen e SHBA-së në gjysmëpërçuesit. Akti përfshin 52.7 miliardë dollarë për kërkimin, zhvillimin, prodhimin dhe zhvillimin e fuqisë punëtore amerikane të gjysmëpërçuesve. Më tej jane 39 miliardë dollarë stimuj prodhimi, duke përfshirë 2 miliardë dollarë për çipat e vjetër të përdorur në automobila dhe sistemet e mbrojtjes, 13.2 miliardë dollarë në kërkim shkencor dhe zhvillimin e fuqisë punëtore dhe 500 milion dollarë për sigurinë e teknologjisë ndërkombëtare të komunikimit të informacionit. Ky projektligj “do të ulë kostot, do të krijojë vende pune, do të forcojë zinxhirët e furnizimit dhe do ti kundërvihet Kinës” - sipas Shtëpisë së Bardhë.

Nuk fshihet fakti se ky akt është një kundërpërgjigje për Kinën, por për ironi, SHBA-të po bëjnë pikërisht atë për të cilën kanë fajësuar Kinën, ndërhyrjen e shtetit në sektorin privat.

Për folësit e këtij paneli, këto politika të prezantuara nga qeveritë në mbarë botën, janë më shumë proteksioniste se sa janë në favor të tregtisë së lirë. Ata ranë dakord se kjo nuk do të ketë sukses, sepse historia na tregon se proteksionizmi në fakt nuk bën atë që pretendon, ai në fakt dëmton mjetet e jetesës së njerëzve në nevojë dhe në planin afatgjatë ushqen një narrativë populiste.

Kur paneli u hap për debat, panelistët u pyetën nga Instituti Shqiptar për Studimet e Globalizimit se cilat mund të ishin korrigjimet më të mira për situatën aktuale të globalizimit në mënyrë që të mos këtë zbrapsje ose bllokada të mëtejshme. Në përgjigje të pyetjes, panelistët ranë dakord se fuqizimi i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), kombinimi i përpjekjeve midis politikëbërësve dhe qarqeve të biznesit, i kombinuar me përhapjen e marrëveshjeve të tregtisë së lirë do të nxisë globalizimin.

Foto:VCG

Foto:VCG

Forumi u mbyll me një citim nga John Maynard Keynes në librin e tij të famshëm të quajtur "Pasojat ekonomike të paqes" për të përshkruar gjendjen e botës në 1914.

Ai flet për një banor të Londrës, i cili mund të “porositë me telefon, të pinte çajin e mëngjesit në shtrat, me produkte të ndryshme nga çdo cep i tokës, në sasinë që ai mund ta shihte të arsyeshme, dhe në mënyrë të arsyeshme të priste dorëzimin e tyre në pragun e shtëpisë së tij. Ai mund të investonte në të njëjtin moment dhe me të njëjtat mjete, pasurinë e tij në burimet natyrore dhe ndërmarrjet e reja të çdo lagjeje të botës, dhe të ndante, pa sforcim apo edhe telashe, frytet dhe avantazhet e tyre të mundshme.”

Por, më e rëndësishmja nga të gjitha, ai e konsideronte këtë gjendje si normale, të sigurt dhe të përhershme, përveç në drejtim të përmirësimit të mëtejshëm, dhe çdo devijim prej saj si të pahijshme, skandaloze dhe të shmangshme. Keyns-i vazhdon….“Projektet dhe politikat e militarizmit dhe imperializmit, të rivaliteteve racore dhe kulturore, të monopoleve, kufizimeve dhe përjashtimeve, që do të luanin gjarprin e kësaj parajse, ishin pak më shumë se humori i gazetës së tij të përditshme dhe duket sikur nuk ushtrojnë pothuajse asnjë ndikim në rrjedhën e zakonshme të jetës shoqërore dhe ekonomike, ndërkombëtarizimi i së cilës ishte pothuajse i plotë në praktikë”.

Kjo është shkruar më shumë se një shekull më parë, dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin ku ndodhet bota sot!