Presidenti kinez Xi Jinping shkoi të martën për një inspektim pune në qytetin Jinzhou të provincës Liaoning. Ai vizitoi Muzeun Përkujtimor të Betejës së Liaoshen-it dhe Parkun Pyjor të Liqenit Lindor, për të rishikuar historinë e luftës çlirimtare të Kinës Verilindore dhe për t'u njohur me punën e parandalimit të përmbytjeve dhe mbrojtjen e mjedisit ekologjik në Liaoning.

Provinca Liaoning është djepi i industrisë së Republikës Popullore të Kinës. Këtu u ndërtua furrnalta e parë dhe u prodhuan aeroplani i parë reaktiv luftarak dhe anija e parë oqeanike 10-mijëtonëshe e Kinës.

Rimëkëmbja e bazës industriale të Kinën Verilindore është një strategji kombëtare. Gjatë vizitës në gusht të vitit 2013 në Liaoning, presidenti Xi Jinping vuri në dukje se, për të rimëkëmbur këtë bazë industriale, duhet të zgjerohet tregu e të zhvillohet reforma me risi, si edhe duhet të shfrytëzohen mundësitë e sjella nga raundi i ri i revolucionit tekniko-shkencor botëror, duke forcuar pandërprerë aftësinë e inovacionit të ndërmarrjeve.

Liaoning-u ka shfaqur prirjen e rimëkëmbjes së gjithanshme. Në vitin 2021, PBB-ja e kësaj province arriti në 2758 miliardë e 410 milionë juanë, duke u shtuar 5.8 % në krahasim me vitin 2020, ndërsa PBB-ja mesatare për frymë ishte 65 026 juanë, me një rritje 6.4 %. Po vitin e kaluar vlera e shtuar e sektorit të prodhimit me teknologji të lartë në këtë provincë u rrit me 12.9 %, kurse investimet u shtuan 71.2 %. (Fani/Artan)