Komiteti i OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racial shqyrtoi ditët e fundit zbatimin prej ShBA-së të Konventës Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial. Sipas regjistrimeve publike, ekspertët e OKB-së kanë kritikuar gjatë shqyrtimit problemin e diskriminimit të rrënjosur racial në ShBA.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha se ShBA-ja, si shtet nënshkrues i konventës, ka sajuar për një kohë të gjatë gënjeshtra e thashetheme për diskriminim racial në vendet e tjera, dhe i ka përdorur ato si mjet për eksportimin e hegjemonisë dhe manipulim politik, pa u përballuar me sëmundjen e vet të rëndë të diskriminimit racial. Ai shtoi se ky shqyrtim i Komitetit të OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racial u ra edhe një herë kambanave të alarmit për qeverinë e ShBA-së.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

“Ne e kemi vënë re që ekspertët e Komitetit vunë në dukje se Deklarata e Pavarësisë e ShBA-së shpall se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë, por në fakt ligji dhe politika publike e ShBA-së kanë diskriminime të rënda ndaj afroamerikanëve. ShBA-ja tha se ajo është e përkushtuar për të eliminuar diskriminimin racial, por ngjarja tragjike me George Floyd-in ndodhi pikërisht në këtë vend. ShBA-ja duhet të fillojë nga vetvetja, dhe të marrë masa konkrete për të zhdukur rrënjët e diskriminimin racial,” theksoi Wang Wenbin.

Sipas tij, ekspertët e kritikuan ShBA-në për problemin e diskriminimit nga disa aspekte. Kështu, pjesëtarët e pakicave dhe banorët autoktonë kanë mbi 300 për qind më shumë gjasa se të bardhët të vriten nga brutaliteti i policisë, kanë përqindje më të lartë dënimesh të gabuara gjatë gjykimit dhe pjesëmarrje më të ulët në jetën politike. Ndërkohë, krimet e urrejtjes drejt pakicave në ShBA janë rritur dukshëm, por shumica e tyre nuk paditen ose dënohen. Përveç kësaj, gjatë zbatimit të ligjit në kufi ka probleme të tilla si përdorimi i tepërt i forcës, burgosja e detyruar e imigrantëve dhe dëbimi pa gjykim i atyre që nuk janë shtetas. Zëdhënësi përmendi fjalët e Jamil Dakwar-it, drejtori i Programit të të Drejtave të Njeriut të Bashkimit të Lirive Civile Amerikane, sipas të cilit procesi i shqyrtimit përkatës tregon se ShBA-ja 'ka dështuar pothuajse në çdo çështje që ka lidhje me drejtësinë raciale'.”

“ShBA-ja e konsideron veten si mësuese të vendeve të tjera për të drejtat e njeriut, por ajo nuk e di se në sytë e bashkësisë ndërkombëtare ka qenë për një kohë të gjatë ‘nxënëse e keqe’ e të drejtave të njeriut. Sipas raportit, Komiteti i OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racial do të publikojë në shtator sugjerimet përfundimtare për zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial. Le të presim,” shtoi zëdhënësi kinez. (Li Huailiang/Artan)