Foto nga ambasada e Kinës në Uashinton

Foto nga ambasada e Kinës në Uashinton

Kina kundërshton çdo lloj lidhjeje zyrtare ndërmjet ShBA-së e rajonit të Tajvanit dhe do të marrë me vendosmëri kundërmasa në përgjigje të provokimeve amerikane, tha të dielën Liu Pengyu, zëdhënës i ambasadës kineze në ShBA.

Në një sërë postimesh në “Twitter”, Liu u shpreh se vizita e një delegacioni dypartiak të Kongresit amerikan që mbërriti të dielën në Tajvan, dëshmon se ShBA-ja nuk dëshiron të shohë stabilitetin në ngushticën e Tajvanit dhe është përpjekur për të nxitur një kundërvënie ndërmjet dy palëve dhe për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës.

“Përgjegjësia për tensionet e tanishme në ngushticën e Tajvanit është tërësisht e ShBA-së, e cila duhet të mbajë të gjitha pasojat e vizitës së ligjvënësve në Tajvan,” theksoi zëdhënësi.

Vizita në rajonin e Tajvanit e delegacionit prej pesë anëtarësh, të drejtuar nga senatori Ed Markey nga Masaçusetsi, pason atë të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në fillim të gushtit, që u dënua dhe shkaktoi reagime të forta nga Pekini, duke përfshirë stërvitjet ushtarake disaditore rreth ishullit të Tajvanit.

“Anëtarët e Kongresit të ShBA-së duhet të veprojnë në përputhje me politikën e qeverisë amerikane për ‘Një Kinë’. Pala amerikane duhet t'u përmbahet parimit të ‘Një Kine’ e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane dhe të ndalojë shkëmbimet zyrtare me Tajvanin," paralajmëroi zëdhënësi i ambasadës kineze.

Ligjvënësit amerikanë të kryesuar nga senatori Ed Markey "e mbivlerësuan veten dhe u përpoqën të sfidonin parimin e ‘Një Kine’", theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin në një konferencë shtypi, duke shtuar se përpjekjet e tyre do të dështojnë.

(Li Huailiang/ Artan)