foto/VCG

foto/VCG

Ambasadori kinez në Japoni Kong Xuanyou thotë se Tokioja nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës dhe nuk duhet të ndjekë ShBA-në mbi çështjen e Tajvanit.

Gjatë bisedimeve të fundit me përfaqësues nga të gjitha qarqet e shoqërisë japoneze, ambasadori Kong bëri të ditur qëndrimin e Kinës për çështjen e Tajvanit, duke theksuar se Japonia nuk ka asnjë lidhje me gjendjen e tanishme në ngushticën e Tajvanit dhe se kundërmasat e Kinës drejtohen kundër provokimeve politike të ShBA-së e forcave të “pavarësisë së Tajvanit”.

Ambasadori paralajmëroi se ndjekja e ShBA-së mbi çështjen e Tajvanit do të ishte një shkelje e rëndë e parimit të “Një Kine”, i cili është themeli i marrëdhënieve kino-japoneze. Ai shtoi se Japonia duhet të ndalojë nxitjen e rivalitetit rajonal dhe përshkallëzimin e tensioneve para se të jetë tepër vonë.

Kong vuri në dukje se kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi bëri një vizitë provokuese në rajonin e Tajvanit të Kinës, pa marrë parasysh shqetësimet dhe kundërshtimin e Pekinit, duke cenuar sovranitetin e Kinës dhe duke shkelur premtimet politike të bëra nga Uashingtoni.

“Kundërmasat e Kinës ndaj kësaj vizite janë të përligjura e të arsyeshme,” shtoi ambasadori.

Japonia e pushtoi ilegalisht Tajvanin për gjysmë shekulli dhe duhet të mbajë fajin historik, theksoi Kong. Ai përmendi Deklaratën e Kajros dhe Proklamatën e Potsdamit, të cilat thonë se Japonia duhet t'i kthejë Kinës të gjithë territorin e vjedhur kinez, përfshirë Tajvanin dhe ishujt Penghu.

Në deklaratën e përbashkët kino-japoneze, Japonia shpreh mirëkuptimin dhe respektin për qëndrimin se Tajvani është pjesë e patjetërsueshme e Kinës, duke rënë dakord t'i përmbahet nenit tetë të Deklaratës së Potsdamit, i cili vendos themelet e marrëdhënieve dypalëshe, shtoi Kong.

Ndërsa sivjet është 50-vjetori i normalizimit të marrëdhënieve Kinë-Japoni, ambasadori kinez i bëri thirrje palës japoneze të mbajë fjalën dhe të veprojë në të mirë të lidhjeve dypalëshe dhe qëndrueshmërisë rajonale. (Fang Xiaoyu/Artan)