foto/VCG

foto/VCG

Pesë kompani shtetërore kineze shpallën planet për heqjen e aksioneve të depozitës amerikane nga bursat e ShBA-së të premten, duke bërë që organi mbikëqyrës i letrave me vlerë i Kinës të komentojë se lëvizje të tilla janë pjesë e normës për tregjet e kapitalit.

Në deklarata të veçanta publike, “PetroChina”, Kompania e Naftës dhe e Produkteve Kimike e Kinës, Kompania e Sigurimeve të Jetës e Kinës, Korporata e Aluminit e Kinës dhe Kompania Petrokimike “Sinopec” e Shangait thanë se do të aplikonin për çregjistrim vullnetar nga Bursa e Nju-Jorkut.

Të gjitha kompanitë thanë se lëvizjet e tyre bazoheshin në disa faktorë, duke përfshirë faktin që aksionet e tyre të tregtuara në ShBA zënë një pjesë relativisht të vogël të vëllimit të përgjithshëm të aksioneve të tyre të listuara.

Plani i çregjistrimit nga bursa nuk do të ndikojë në vazhdimin e përdorimit prej këtyre kompanive të bursave vendase dhe të huaja për financim, u shpreh një zyrtar i Komisionit Rregullator të Letrave me Vlerë të Kinës (CSRC) në një deklaratë në uebsajtin zyrtar të këtij Komisioni.

Sipas deklaratave të kompanive, ato planifikojnë të paraqitin aplikim për çregjistrim nga 22 deri më 29 gusht. Çregjistrimi nga Bursa e Nju-Jorkut pritet të hyjë në fuqi 10 ditë pas paraqitjes të aplikimit, sipas rregullave të Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Këmbimit të ShBA-së.

Zyrtari i CSRC-së tha se, në bazë të njoftimeve përkatëse, këto kompani kanë respektuar në mënyrë rigoroze rregullat dhe kërkesat rregullatore të tregut të kapitaleve në ShBA që nga regjistrimi i tyre atje. Vendimi për çregjistrim, sipas tij, u mor mbështetur në arsyet e tyre të biznesit.

“CSRC respekton vendimet e marra nga ndërmarrjet bazuar në kushtet e tyre dhe në përputhje me rregullat e vendeve të regjistrimit jashtë shtetit”, shtohet në deklaratë.

CSRC-ja theksoi se do të mbajë kontakte të ngushta me organet e huaja rregullatore përkatëse për të mbrojtur së bashku të drejtat dhe interesat e ligjshme të ndërmarrjeve dhe investitorëve. (Fang Xiaoyu/Artan)