Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping i dërgoi të premten një letër urimi Konferencës Ndërkombëtare të Solidaritetit të Shoqërisë Civile për Nismën e Zhvillimit Global.

Zhvillimi është një temë e përhershme e shoqërisë njerëzore dhe nëpërmjet tij popujt e vendeve të ndryshme shpresojnë të realizojnë një jetë më të mirë, vuri në dukje Xi Jinping-u. Sipas tij, tani zhvillimi i ekonomisë globale po ndikohet nga shumë faktorë dhe zbatimi i Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030 të OKB-së po pengohet. "Përballë vështirësive dhe sfidave, duhet të kemi besim të fortë, të bashkohemi kundër epidemisë dhe të nxitim së bashku zhvillimin, për të realizuar Agjendën e Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030 të OKB-së. Vetëm kështu popujt e vendeve të ndryshme do të jetojnë në lumturi dhe shoqëria njerëzore do të ketë një të ardhme të bukur," theksoi Xi.

Kreu i shtetit kinez u shpreh më tej se bashkësia ndërkombëtare duhet të arrijë unanimitet për nxitjen e zhvillimit, të përpiqet të krijojë një mjedis ndërkombëtar që favorizon zhvillimin, të nxitë krijimin e energjive të reja për zhvillimin dhe të vendosë marrëdhënie partneriteti për zhvillimin. (Çang Çuo)