Foto: VCG

Foto: VCG

Në një libër të bardhë të publikuar të mërkurën thuhet se arritja e ribashkimit kombëtar me mjete paqësore është zgjedhja e parë e Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe e qeverisë kineze për zgjidhjen e çështjes së Tajvanit.

Kjo "u shërben më mirë interesave të kombit kinez në tërësi, duke përfshirë bashkatdhetarët në Tajvan, dhe është mënyra më e mirë për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të Kinës," thuhet në dokument.

Pasi të arrihet ribashkimi paqësor sipas parimit "Një vend, dy sisteme", Tajvani do të ketë një hapësirë të gjerë administrative për zhvillim dhe do të gëzojë një shkallë të lartë autonomie si një rajon i veçantë, thuhet më tej aty, duke shtuar se ribashkimi paqësor i dy brigjeve të ngushticës ndihmon paqen e zhvillimin në Azi-Paqësor dhe më gjerë në tërë botën.

Libri i bardhë, me titull "Çështja e Tajvanit dhe ribashkimi i Kinës në epokën e re", është dokumenti i tretë me autoritet nga autoritetet kineze mbi çështjen e Tajvanit. Dy të parët janë publikuar përkatësisht në gusht 1993 dhe shkurt 2000.

Libri i bardhë i fundit pason rritjen e tensioneve në ngushticën e Tajvanit pas vizitës provokuese të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në rajonin e Tajvanit, duke shpërfillur kundërshtimin e fortë dhe pakënaqësinë serioze të palës kineze.

Libri i bardhë përmban pesë pjesë dhe fillon duke e cilësuar faktin se "Tajvani është pjesë e Kinës" si "të padiskutueshëm". Ai bën një përmbledhje të gjithanshme të përpjekjeve të vendosura, arritjeve të mëdha dhe përvojës së çmuar të PKK-së në promovimin e ribashkimit të plotë të Kinës.

Dokumenti bën gjithashtu paralajmërime të rrepta kundër separatizmit dhe ndërhyrjes nga forcat e huaja në çështjen e Tajvanit.

“Separatizmi do ta zhysë Tajvanin në humnerë dhe nuk do të sjellë asgjë tjetër përveç katastrofës në ishull", theksohet në librin e bardhë, duke shtuar se pjesa kontinentale e Kinës nuk do të lërë hapësirë për veprimtaritë separatiste të çfarëdo forme.