Foto: MPJ

Foto: MPJ

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi vuri në dukje të mërkurën se situata në ngushticën e Tajvanit është ende në zhvillim dhe bëri thirrje për të qëndruar vigjilentë ndaj "tre lëvizjeve të reja të rrezikshme".

Në takimin me homologët e tij nga Mongolia, Koreja e Jugut dhe Nepali, Wang përsëriti qëndrimin e Kinës ndaj vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në rajonin e Tajvanit, duke e quajtur vizitën një provokim të drejtpërdrejtë politik.

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme kineze, paralajmërohet se ShBA-ja po rrit praninë e saj ushtarake rajonale, duke e përshkallëzuar më tej situatën dhe duke u përpjekur të krijojë një krizë të re dhe më të madhe.

Duke përmendur se forcat e "pavarësisë së Tajvanit" e kanë vlerësuar gabim situatën, Wang i këshilloi ata të mos shkojnë më tej në rrugën e shkëputjes.

Kreu i diplomacisë kineze vuri në dukje gjithashtu se politikanët nga disa vende shtrembërojnë faktet dhe krijojnë farsa për përfitimet e tyre politike, duke shtuar se veprimet e tyre do të dëmtojnë seriozisht bazën politike të bashkëpunimit me Kinën dhe do të ndikojnë seriozisht në Kartën e OKB-së dhe në sistemin ndërkombëtar të krijuar pas Luftës II Botërore.

Ai theksoi se pala kineze është e gatshme të punojë me miqtë e saj që e duan paqen dhe drejtësinë nga vende të ndryshme për të kundërshtuar me vendosmëri të gjitha fjalët dhe veprimet që ndërhyjnë në punët e brendshme të Kinës, për t'i përballuar me vendosmëri të gjitha lëvizjet e rrezikshme që minojnë paqen në ngushticën e Tajvanit dhe për të ruajtur bashkërisht parimin e "Një Kine".